Belind Këlliçi është kandidati i parë brenda opozitës që ka njoftuar se do të hyjë në procesin e primareve dhe është gati të lërë mandatin për të garuar përballë Erion Veliajt, nëse ky i fundit do të jetë kandidati i PS-së për Tiranën.
I ftuar në nje emision televiziv deputeti demokrat tha se vendimin për t’i hyrë garës brenda “llojit” e mori pas konsultimeve me bazën dhe zonën e tij elektorale.
“Heq dorë nga mandati, i bindur në rezultat. Përfaqësoj edhe një nga njësitë administrative të varfra. Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës.”
Për Belind Këlliçin, kreu aktual i bashkisë Tiranë është kandidati më i dobët që mund të ketë PS dhe sipas tij do ta ketë shumë lehtë ta mundë në zgjedhjet e pranverës së vitit që vjen.
“Kandidati më i dobët dhe më i lehtë për ta mundur. Uroj të jetë ai kandidati i PS-së në zgjedhje. Më intereson që Tirana të çlirohet nga uzurpimi. Veliaj është kandidatura më lehtë për ta mundur në këto zgjedhje. Unë s’kam hyrë me para, të jetë për to nuk e mundim dot Erion Velinë.”
Por cila është alternativa që Këlliçi do t’u sjellë qytetarëve të Tiranës?
“Ne do t’i vënë përballë alternativë për kryeqytetin. Nëse do të jem kandidat përballë, unë do derdh djersë e mund për çdo votë. Nuk ma vjedh dot kollaj votën mua. Kam garuar në një nga zonat që është bastion i së majtës për vite, dhe kam marrë rezultatin më të mirë në 30 vite,” u shpreh ai gjatë bisedës me Juli Xhokaxhi në ABC.
Këlliçi tregoi po ashtu se puna e tij do të fokusohet tek takimet në terren me qytetarë për të marrë mendimet e tyre.
I pyetur nëse kandidatura e tij ishte një propozim apo “lobim” i Ilir Metës tek Sali Berisha, Këlliçi tha se me ish-presidentin ka një marrëdhënie të shkëlqyer, por shtoi se ajo që prevalon është marrëdhënia me kryedemokratin Sali Berisha.
“Kandidatura ime në Primare është propozim i Belind Këlliçit,” shtoi ai.