Gara për bashkinë e Tiranës, në primaret e PD futet edhe Kujtim Gjuzi

Ish-deputeti Kujtim Gjuzi ka vendosur të garojë në primaret e Partisë Demokratike, për të qenë kandidat për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale.

Partia Konservatore i ka dërguar një shkresë selisë blu dhe kryedemokratit Berisha, ku ndër të tjera thuhet: “Ne ofrojmë si kandidat z.Kujtim Gjuzi”.

Kujtojmë që në primare deri më tani janë përfshirë zyrtarisht tre kandidatë, Gerti Bogdani, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, të cilët synojnë të sfidojnë Veliajn në garën për të qenë i pari i kryeqytetit.

Partia demokratike ka vendosur që afati për regjistrimin e kandidatëve për primaret të jetë data 6 nëntor ora 20:00.

Më datë 13 nëntor pritet të bëhet prezantimi i kandidaturave dhe data 4 dhjetor do të jetë ajo e mbajtjes së primareve në të gjitha bashkitë, përveç Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit.

Vota e anëtarëve dhe simpatizantëve demokratë në primare do të përcaktojë kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Të Fundit