Një drejtues gomoneje është ndëshkuar me 500 mijë lekë gjobë, pasi hyri pranë bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve që po bënin plazh këtë të dielë.
Rasti u denoncua nga qytetarët, të cilët filmuan mjetin lundrues. Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndërhynë menjëherë, duke konstatuar gomonen dhe identifikuar drejtuesin me inicialet F. D.
Në përfundim të procedurave administrative, ndaj tij u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.
Policia Kufitare bën apel për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit në plazhe.
Njoftimi i plotë i policisë
Shkeli perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, duke rrezikuar jetën e pushuesve që bënin plazh, ndëshkohet me 500.000 lekë të rinj drejtuesi i mjetit lundrues. Gjithashtu, Policia Kufitare bëri edhe bllokimin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë kanë intensifikuar masat, duke shtuar ndjeshëm patrullimet në vijën bregdetare Vlorë-Ksamil.
Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh.
Menjëherë, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi dhe Njësia Policore Detare kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë konstatuar mjetin lundrues gomone me drejtues shtetasin F. D. Në përfundim të procedurave administrative, ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masa administrative 500.000 lekë të rinj.
Gjithashtu, u bë dhe bllokimi i mjetit lundrues. Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit që bëjnë plazh në zonat e përcaktuara.



