“Frika ime mami”, Rama publikon thirrjen e Luanës: Vaksinimi zgjidhja e vetme

Vaksinimi në vend po vazhdon prej 11 muajsh, ndërsa prej disa ditësh ka vazhduar edhe injektimi i dozës së tretë për personat mbi 60 vjeç.

Kryeministri Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve po bëjnë thirrje për vaksinim masiv. Madje disa ditë më parë, Komiteti Teknik njoftoi edhe masën e vaksinimit me detyrim për punonjësit e administratës publike, të qendrave tregtare dhe pronarëve të dyqaneve.

Ndërsa ditën e stome, kryeministri Edi Rama ka ndarë edhe thirrjen e moderatores Luana Vjollca me ndjekësit e tij në “Instagram”.

Në videon e publikuar nga kreu i qeverisë, Luana Vjollca flet mbi periudhën e pandemisë së Covid-19 dhe rëndësinë e vaksinimit.

Ajo shprehet se gjëja që kishte më shumë frikë ishte infektimi i nënës së saj dhe fakti që duke mos qenë e vaksinuar, nuk do të mund ta përqafonte. Vjollca u bën thirrje të rinjve që të vaksinohen e të tregohen më të përgjegjshëm për personat e tyre të dashur.

“Mendoj që për të dalë nga gjithë situata ku ishim përfshirë është drita në fund të tunelit, është zgjidhja më e mirë, është një lloj shpëtimi që ndoshta të rinjtë nuk janë të ndërgjegjshëm për veten e tyre, kemi disa njerëz që duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe t’i mbrojmë. Janë pak më të vjetër në moshë dhe kanë nevojë për të gjithë përgjegjshmërinë tonë që nganjëherë na mungon.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa shëndeti. Të paktën flas nga ndjesia ime personale, ato dy vite, e gjithë frika ime ishte mami. Një nga arsyet që unë duhet të bëja vaksinën ishte që do ta përqafoja më shpesh. Kjo është zgjidhja e vetme për t’ju kthyer normalitetit dhe duhet ta bëjmë,”- thotë moderatorja.

Të Fundit