Frika e emigrantëve afganë, Greqia ndërton murin 40 km në kufi me Turqinë

Greqia pothuajse e ka përfunduar ndërtimin e murit në kufi me Turqinë me qëllim parandalimin e futjes në vend të emigrantëve që largohen nga Afganistani, pas kthimit në pushtet të talebanëve.

Muri është projektuar me një gjatësi rreth 40 kilometra dhe do pajiset me kamëra vëzhgimi.

“Ne nuk mund të presim duarlidhur thyerjen e kufijve”, tha Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë Michalis Chrisochoidis në një vizitë në rajonin e Evros të Premten. “Kufijtë tanë do të mbeten të paprekshëm”.

Komentet e tij erdhën në kohën kur Turqia u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin përgjegjësinë për emigrantët afganë.

Në një bisedë telefonike mes Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit turk  Rexhep Tajip Erdogan, deklaruan se një rritje e njerëzve që largohen nga Afganistani mund të përbëjë “një sfidë serioze për të gjithë”.

“Një valë e re emigrimi është e pashmangshme nëse nuk ndërmerren masat e nevojshme në Afganistan dhe në Iran”, tha Erdogan.

Greqia, e cila ishte një ndër vendet më të prekura nga kriza e emigrantëve në vitin 2015 kur më shumë se një milion njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme kaluan nga Turqia në BE, ka thënë se do të kthejë mbrapsht çdo afgan që mbërrin ilegalisht në vend.

Të Fundit