Fillimi i Gushtit ka shënuar një rritje të numrit të shtetasve shqiptarë që kthehen në vendlindje për pushimet verore.
Fluksi i lartë i pasagjerëve drejt Shqipërisë ka bërë që Autoriteti Portual i Durrësit të shtojë linjat e operimit të trageteve dhe njëkohësisht edhe sportelet për përpunimin e të dhënave të pasagjerëve.
Kryeministri Edi Rama ndau këtë të shtunë në rrjetet sociale pamje nga Porti i Durrësit.
“Numri i pasagjerëve të mbërritur nga Italia vetëm në mëngjes ishte 4 150 dhe 1 350 autovetura”, tha Rama.
Me nisjen e sezonit veror në portin e Durrësit pati një fluks të lartë të udhëtarëve.
Për t’i paraprirë fluksit të udhëtarëve, policia e kufirit, në bashkëpunim me doganat dhe autoritetin portual, po punon me kapacitet të plotë.
Gjatë muajit që lamë pas, nga porti i Durrësit kanë hyrë mbi 85,000 shtetas me mbi 21,000 automjete.
Ndërkohë, nga kjo pikë kufitare kanë dalë drejt Italisë mbi 27,000 udhëtarë dhe afro 6,000 automjete.