Aktori dhe aktivisti i njohur Florjan Binaj ka mbajtur një fjalim përpara protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Binaj iu drejtua turmës me thirrjen “Sheshi plot, zemra plot”, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se prej 13 vitesh “zhgarravit fatet tona” dhe se u përpoq të përçante qytetarët përmes organizimit të një aktiviteti paralel.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se protesta nuk zhvillohet vetëm për qytetarët e pranishëm në shesh, por edhe për punonjësit e administratës dhe patronazhistët që, sipas tij, detyrohen të marrin pjesë në aktivitetet e qeverisë.
Binaj bëri thirrje për ndëshkimin e çdo politikani që ka abuzuar me detyrën apo ka shkelur ligjin gjatë këtyre dekadave.
“Kushdo që nga ’90-a që ka vjedhur këtu qoftë edhe 10 lekë, të shkojë në burg! Çdo qeveritar! Kushdo që ka shkelur ligjin të shkojë në burg, por jo në burg me 5 yje!”, deklaroi Binaj.



