Në 8 maj transmetuam një rast tragjik, ku 70-vjeçarja Afërdita Krasta tregoi, se kishte humbur banesën e saj, si pasojë e një zjarri të madh, ku ndërroi jetë edhe vëllai i saj. Prej rreth 40 ditësh, ajo jeton pa një çati mbi kokë, duke u strehuar herë pas here te fqinjët.Infermierja e lagjes, Mimoza Xhamaqi, tha, se e moshuara ndodhet në gjendje të vështirë dhe pa mbështetje. Sipas saj, Afërdita nuk ka as kushtet minimale të jetesës dhe vuan edhe nga shumë sëmundje.Grupi ynë i xhirimit konstatoi, se banesa ishte shkatërruar pothuajse plotësisht nga zjarri, ndërsa fqinjët e kanë ndihmuar duke i siguruar lidhje elektrike dhe kushte minimale higjieno-sanitare. Megjithatë, e moshuara refuzon të hyjë në shtëpi për shkak të traumës.Pas ndërhyrjes mediatike, rasti u referua te institucionet sociale, të cilat kanë bërë me dije, se dokumentacioni është dërguar në strukturat e Emergjencave Civile për vlerësimin e dëmit, ndërsa po pritet përfundimi i ekspertizës lidhur me viktimën. Pas këtij transmetimi, të shumtë kanë qenë qytetarët, që janë ofruar për të ndihmuar të moshuarën. JB elektronics, një subjekt në Tiranë, një qytetar në SHBA, një tjetër nga Tirana, nga Lushnja, një zonjë nga Elbasani, familja Cota në Librazhd, kanë sjellë të gjithë ndihma, sipas mundësive për Afërditën.



