Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e kryedemokratit Sali Berisha nga ‘arresti i shtëpisë’.
Përmes një deklarate për mediat, Noka tha se Berisha e ka paguar çmimin e lirisë shumë shtrenjtë, me izolimin e tij të padrejtë.
Ai tha gjithashtu se falë qëndresës së demokratëve, opozita e cila sipas tij ka qenë nën një agresion gjatë këtyre kohëve, mbijetoi dhe po bëhet edhe më e fortë.
“Edhe vetë Zoti e ka zbukuruar këtë ditë. Kjo ditë ka një domethënie, liria gjithmonë ka një çmim. Berisha e ka paguar me pa të drejtë çmimin e lirisë, më shumë se çdokush tjetër në këtë vend. Demokratët kaluan në një kalvar të pashoq gjatë këtyre viteve.
Drejtësia në duart e Soros bëri gjithçka që ta eliminonte PD. Sot lideri i PD është i lirë falë qëndresës së demokratëve, falë të vërtetës, falë luftës së tyre.
E vërteta gjithmonë vonon por kurrë nuk harron. Presioni i opozitës dhe qytetarëve të këtij vendi e detyroi më në fund edhe narkodrejtësinë që t’i japë fund një sage vuajtjeje dhe izolimi për liderin e PD”, tha Noka.