Policia e Shtetit ka planifikuar masa sigurie me qëllim garantimin e rendit e sigurisë për zhvillimin e finales së UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës/Itali dhe Feyenoordit/Hollandë, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datën 25 maj 2022, në orën 21:00, në “Air Albania Stadium.”
Zv.drejtori i Përgjithshëm Drejtues i Lartë Albert Dervishaj në një konferencë për shtyp tha se tifozët shqiptarë dhe të huaj do të gjobiten nëse kryejnë veprime të dhunshme.
Deklarata:
Është rasti të kujtojmë qytetarët shqiptarë dhe të huaj se në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Legjislacioni penal shqiptar konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune të sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë apo nga drejtues ose anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.