Fier, si u manipulua raporti i aksidentit, që i mori jetën 5 vjecares – Stop
Të Gjitha

Fier, si u manipulua raporti i aksidentit, që i mori jetën 5 vjecares

Më 30 Qershor të këtij viti një aksident tragjik i mori jetën vajzës 5-vjeçare të familjes Metohu, në fshatin Kurjan të Fierit. Një makinë “Ford Fokus” e mori përpara vogëlushen dhe e la të pajetë.

Gjyshja e vajzës, Lumturi Metohu nuk gjen paqe për humbjen e mbesës dhe tregon se raporti i aksidentit është manipuluar dhe autori i tragjedisë është i lirë.

Ajo rrëfeu: “Unë isha te shkallët e shtëpisë, pashë një makinë ngjyrë të bardhë, që lëvizte me shpejtësi marramendëse. Në këtë kohë bërtas fort, pyes ku janë fëmijët. Pa mbaruar fjalën, dëgjova një përplasje të madhe, sikur u përplas me hekur, llamarinë ose dërrasë. Vij menjëherë, shikoj nusen e djalit tim, që kishte fëmijën e tij në krahë të gjakosur. Makinë nuk pashë se ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Më pas pashë një makinë që vinte indietro drejt nesh, me të cilën e çuam në spital”.

Pas hetimit nga Policia e Fierit, çështja u çua në prokurori, ku iu caktua prokurorit Hysen Ajasllari. Ai urdhëroi bërjen e menjëhershme të aktit të ekspertizës, çka sipas gazetarit të emisionit “Stop”, është e çuditshme.

Lumturia e shqetësuar u shpreh se është shumë e zhgënjyer nga shteti, duke thënë: “Ma ka vrarë vajzën për herë të dytë. Shoferi ka qenë gjasme me 15-20 (km në orë). Gjakun e saj nuk ia fal askujt!”.

Ajo shtoi se drejtuesi i automjetit ka qëndruar për rreth 90 orë në burg, ndërkohë që ata nuk kishin asnjë informacion.

Prokurori Ajasllari e referoi arrestimin e drejtuesit të automjetit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit për një masë më lehtësuese. Gjyqtarja Ejona Lazellari vendosi “lirim të menjëhershëm” dhe “detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore” për drejtuesin e automjetit që i mori jetën 5-vjeçares.

Gjyshja e saj tha: “Ka manipuluar shumë gjëra, si shpejtësinë e makinës, që e kam parë me sytë e mi dhe nuk mund të më çojë dot syze miopi ekspertiza mua. E pa dhe nusja, e ëma e fëmijës, që e mori të gjakosur. Unë nuk e lej dot gjakun e saj në trotuar, ku u vra. Nuk e lej ta marrin nëpër këmbë, të shitet e të blihet me lekë nga prokurorë, ekspertë e kushdo tjetër. Nuk ia fal askujt se për mua kjo ka korrupsion, ka vjedhje, ka rryshfete!”.

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” shfaqi bisedën e të afërmve të viktimës me prokurorin e çështjes, i cili iu tha se dhimbja ka kaluar dhe tanimë duhet të ruajnë qetësinë.

Gjyshi – Jemi të shtirur nga organet kompetente.

Prokurori – Në rregull pra, këtë të shpjegova deri tani, organet kompetente. Çfarë ka bërë policia, çfarë ka bërë prokuroria, çfarë ka bërë gjykata.

Gjyshi – Në rregull, në rregull. Kam ardhur këtu, të kam kërkuar 3 herë. Ajo zonja aty poshtë thotë jo është këtu, është me pushime, është këtu, është andej. Ne kërkojmë vetëm drejtësi…

Prokurori – Në rregull!

Gjyshi – Me ç’po shoh unë, me këto letra që kam unë… se edhe unë kam letra, edhe atë akt-inspektimin, akt-ekspertizën.

Gjyshja – Eh… Zot i madh!

Prokurori – Nuk është nevoja!

Gjyshi – Po!

Prokurori – E kam unë këtu.

Gjyshi – Dhe këtu…

Gjyshja- Vritet djali për 20 km në orë? Vritet?

Gjyshi – Ja të mbaroj unë!

Gjyshja – Ja, je shofer vetë.

Prokurori – Atë e di eksperti, s’e di unë.

Gjyshja – Jo, eksperti do përgjigjet, kudo të jetë.

Prokurori– Nuk ka pas shkelje drejtuesi i mjetit… Jepi shpjegime tani këtij!

Gjyshja – Unë e kam parë për herë të parë, unë isha te shkallët e shtëpisë time.

Prokurori – Prit një minutë! Ku e ke kartën e indentitetit? Ma jep mua!

Gjyshja- Nuk kam, nuk e mora.

Gjyshi – Çfarë?

Prokurori – Po ti kartën e ke?

Gjyshi – Ore, unë kam…

Gjyshja – Nuk ka, nuk e ka…

Prokurori – Atëherë, mos fol!

Gjyshi- Më duket se kam një fotokopje… s’e kam, iki e marr te makina.

Prokurori– Ok, ik merre kartën dhe hajde të pyes unë! Po deshe pastaj të japësh shpjegime ti.

Gjyshja – Nuk di gjë, unë e kam parë.

Prokurori – Mos fol më shumë sesa duhet! Nuk tregoni vlera kështu.

Gjyshja- Jo, jo më fal!

Prokurori – Tani ka kaluar dhimbja… me qetësi!

Gjyshja – Jo, jo nuk ka kaluar dhimbja kurrë, derisa t’i vete drejtësia, sa t’i gjendet drejtësia asaj.

Prokurori – Një sekondë!

Gjyshja – Dhimbja s’kalon, sa t’i gjendet drejtësia asaj…, prehem unë në paqe.

Prokurori – Një sekondë!

Gjyshi – Dëgjoje prokurorin, dëgjoje! Ne na fal se po flasim shumë!

Prokurori – Po flet shumë, or burrë!

Gjyshi – Po, neve nuk do ta lëmë me kaq, zoti prokuror!

Prokurori – Ore, mos më bëj presion!

Gjyshja – Lëri, jo jo, ti flet ligjet e tua, flet ligjin.

Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se ky hetim është tepër i vakët dhe jo profesional, pasi prokurori nuk ka marrë GPS-n makinës tip “Ford Fokus”, e cila ishte marrë me qira nga drejtuesi. Prokurori duhej të kishte zbardhur dinamikën dhe itinerarin e kësaj makine dhe se me çfarë shpejtësie ka qenë. Por kjo provë kaq e rëndësishme mungon…

Prokurori – Gjërat e mia janë të shkruara këtu, çdokush të vijë ta kontrollojë. Nëqoftëse unë bëj gabim të më çojnë mua në burg. Dakord?

Emisioni “Stop” rikrijoi ngjarjen e aksidentit tragjik, duke respektuar çdo të dhënë zyrtare të marrë nga prokuroria, e çila i është referuar akteve të ekspertit autoteknik.

Sipas kësaj ekspertize, automjeti qarkullonte me 15-20 km në orë. Por nga eksperimenti i emisionit “Stop” manekini, që është më i lehtë se trupi i një 5-vjeçareje, nuk lëvizi fare nga vendi. Ndërkohë që trupi i vajzës së vogël u spostua rreth 5 metra, duke i marrë jetën. Më pas eksperimentoi me shpejtësinë 70 km në orë, çka e spostoi manekinin dissa metra më larg nga ku shkoi trupi i 5-vjeçares.

Sipas gazetarit të emisionit “Stop” prokurori manipuloi shpejtësinë e automjetit, i cili mund të ketë qenë 60-70 km në orë.

Moderatorët e emisionit “Stop” , Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli u shprehën se familjarët e 5-vjeçares duan drejtësi, pasi nuk duan që vajza e vogël t’ju vdesë për herë të dytë. Ata gjithashtu bënë apel që të tregohet kujdes nga institucione për këto aksidente tragjike.

 

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *