‘Fermerët protestojnë me të drejtë’, Basha: Po godisni prodhimin vendas!

Në fjalën e tij në seancë plenarë, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh edhe një herë se me paketën fiskale e cila pritet të votohet sot në tërësi, godet prodhimin vendas.

Duke u ndalur në protestën e fermerëve Basha tha se ata sot protestojnë me të drejtë, pasi buxheti për bujqësinë do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar.

Fjala e Bashës:

Ndërsa këtu pseudomazhoranca bëhet gati të votojë sy mbyllur për mënyrën se si do të shpenzohen taksat e qytetarëve vitin e ardhshëm dhe ato në vijim, përfaqësuesit e fermerëve që përfaqësojnë 40% të të punësuarve në Shqipëri, kanë harxhuar para nga xhepat e tyre për të udhëtuar drejt Tiranës, që t’u dëgjohet zëri.

Mos tu shkelet sakrifica, mos tu hidhet tutje mundi, t’u respektohet vështirësia që kanë për të bërë punën e tyre, për të nxjerrë bukën e gojës, për të shkolluar fëmijët, për t’i dhënë këtij vendi 20% të prodhimit të brendshëm bruto.

Shifër kjo më e larta në rajon dhe në Europë, që tregon se sa peshë ka bujqësia në ekonominë tonë, e që vetëm për këtë arsye duhet të dëgjohen përpara se të ngrihen kartonët, me sytë e veshët mbyllur.

Janë njerëz që vetëm japin, vetëm kontribuojnë, dhe në këmbim nuk marrin asgjë, krahasuar me kolegët e tyre në rajon, pa përfshirë fare Europën. Sepse arkat e shtetit që ata vetëm i mbushin me taksa të larta të drejtpërdrejta e të fshehura, ky kryeministër dhe ministrat e tij i zbrazin pa teklif.

Aq të papërfillshëm janë këta qytetarë për ju, që gdhihen dhe ngrysen me shqetësimin e të nesërmes, me ankthin e konkurrueshmërisë së produkteve të tyre, me pamundësinë për t’u përballur me produktet e rajonit që subvencionohen shumë herë më shumë se këtu, saqë jo vetëm nuk i dëgjoni, por i ofendoni me teatrin që ngjallë krupën, ku përdorni edhe gaztorët e oborrit tuaj, që nginjen nga koncesionet dhe syshkeljet tuaj, që i kanë shndërruar në oligarkë arrogantë.

Ata protestojnë sot, siç kanë protestuar me të drejtë çdo vit, që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria.
Protestojnë sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar.

Protestojnë sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10 % të çmimit, meqenëse ju vendosët të shtoni me 10% TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6% e TVSH-së së kreditueshme.

Protestojnë sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit.

Por mbi të gjitha, protestojnë sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre.

Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Europë, ku bujqësia ka një impakt prej 20% në prodhimin e brendshëm, dhe jep mbështetjen më të vogël në Europë për fermerët.

Të Fundit