Euro, monedhë kombëtare në Shqipëri? Ekspertët: Është një alternativë që duhet konsideruar

Monedha europiane është shumë pranë rënies poshtë nivelit të 100 Lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 Euro po këmbehet me 100.93 Lekë, ndërsa në pikat e këmbimit valuator blihet me 100.6 Lekë. Ekspertët e Ekonomisë parashikojnë se në Gusht, Euro mund të kap edhe nivelin e 90 Lekëve.

Igli Tola, ekspert Ekonomie: Gjykoj që edhe në muajt e ardhshëm do jenë kaq të nxehta sa edhe temperaturat, vijimi i Gushtit po dhe Shtatorit do vijojë të jetë në këtë trendin rënës të kursit.

I vetmi shanc për ndryshim të këtij trendi pritet gjatë muajve të vjeshtës dhe kjo për shkak të përfundimit të sezonit veror dhe largimit të emigrantëve.

Igli Tola, ekspert Ekonomie: Por përsëri unë e shoh të vështirë të arrihet ai kurs mesatar diku te 120 Lekë për Euro, mund të kemi një afrim tek 105, 110 Lekshi. Duam s’duam ne duhet të pranojmë se ky është një kurs normal tani më, pra nuk është një fenomen thjesht momental.

Gjendur përballë zhvlerësimit të ndjeshëm të Euros, ka lindur edhe diskutimi nëse duhet apo jo që monedha europiane të zyrtarizohet edhe si monedhë kombëtare në Shqipëri.

Igli Tola, ekspert Ekonomie: Unë e shoh me shumë kosto kalimin në monedhën europiane, por gjykoj se është një alternativë që duhet konsideruar, sot jemi në kushtet kur 1 Euro është 100 Lekë, pra konvertimi do ishte më i thjeshtë.

Leku është forcuar ndjeshëm edhe ndaj Paundit dhe Dollarit amerikan. Në pikat e këmbimit valuator, 1 Dollar blihet me 90.4 Lekë, ndërsa 1 Paund me 115.4.

Të Fundit