Erion Veliaj kërkon transmetim live të seancave gjyqësore në Gjykatën Administrative

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës Administrative për transmetimin live të seancave gjyqësore.

Në kërkesë, Veliaj argumenton se parimi i transparencës së gjykimit duhet të garantohet në mënyrë reale dhe efektive, përmes lejimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të seancave për publikun.

Sipas tij, kufizimi aktual në ndjekjen fizike të seancave nuk përmbush standardin e transparencës që kërkon ligji.

“Sistemi ynë juridik e njeh dhe e aplikon tashmë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave gjyqësore në rastet kur ato janë publike. Në veçanti, në Gjykatën Kushtetuese, seancat që nuk zhvillohen me dyer të mbyllura transmetohen live për publikun, si një mjet për të garantuar transparencë reale dhe akses të drejtpërdrejtë të qytetarëve në procesin gjyqësor. Kjo praktikë tregon se transmetimi nuk cenon zhvillimin normal të gjykimit, por përbën një instrument të ligjshëm dhe të përshtatshëm për realizimin efektiv të publicitetit. Në këto kushte, lejimi i transmetimit të drejtpërdrejtë, qoftë përmes një kamere të vetme të mediave, qoftë përmes një sinjali institucional të kontrolluar nga vetë
Gjykata, përbën mjetin e vetëm efektiv për të garantuar që publiciteti i gjykimit të mos mbetet formal, por të realizohet në mënyrë të plotë dhe reale. Për këto arsye, kërkoj nga Gjykata që të lejojë transmetimin live të seancës gjyqësore, në përputhje me nenin 20 të ligjit nr. 49/2012 dhe me interesin e lartë publik që kjo çështje përfaqëson. Lejimi i transmetimit të drejtpërdrejtë nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim për Gjykatën, për të siguruar që publiciteti i gjykimit të realizohet në mënyrë efektive dhe jo vetëm formale”, thuhet në kërkesën e Veliajt.

Të Fundit