Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar sot përmes një deklarate për mediat se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 44 lekë për kilovat mbi fashën 800 KW.
“Për të gjithë konsumatorët familjarë që furnizohen nga Shërbimi Universal (FSHU sh.a.). ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë të shërbimit universal, kostot e furnizimit sipas kostove të burimit të sigurimit të energjisë.
Siç theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 KË, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal”, thuhet në deklaratën e ERE.
Ndërkohë, nga qeveria ende nuk ka një reagim për këtë vendim të ri të ERE, ndërsa kujtojmë se pak ditë më parë kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar, duke thënë se në muajin nëntor do të vendosej fasha e re.
“Kemi pasur dy elementë që na kanë ndihmuar ta shtyjmë vendosjen e fashës e mos e vendosim në muajin tetor, ta shtyjmë, jo të heqim dorë.
Elementi i para janë reshjet. Kemi pasur reshje që kanë shtuar kuotat në hidrocentrale. Element i dytë është një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë më e ulët se parashikimi. Kështu që ne këtë nevojë mund të vazhdojmë ta përballojmë. Nëse trendi i kursimit do të vazhdojë dhe nëse reshjet do të vazhdojnë ne do ta kalojmë pa asnjë problem. Në nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat ose do i rikthehemi diskutimit. Kjo është objektive”, tha Rama pak ditë më parë.