Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të mërkurën se partia e tij mund të mbajë referendum për amendamente kushtetuese që do të mbronin të drejtën e grave për të mbajtur shami.
Partia Drejtësi dhe Zhvillim (AK) e Erdoganit u takua me partitë opozitare për këtë çështje, teksa subjektet politike po tentojnë të marrin mbështetjen para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që mbahen në qershorin e vitit 2023, ku sipas sondazheve, mbështetja për qeverinë e Erdoganit është duke rënë, shkruan Reuters.
Sondazhet e tjera tregojnë se pak turq e shohin shaminë e kokës si çështje debati, ndërkaq kritikët dhe opozita thanë se caku i vërtetë i ndryshimeve kushtetuese është komuniteti LGBT+.
Shamia më herët ka qenë burim i ndasive të mëdha në Turqinë me popullsi myslimane, por që është shtet sekular. Por, kjo çështje ka nxitur kundërthënie pas reformave të ndërmarra gjatë qeverisjes 20-vjeçare të partisë me rrënjë islamike të Erdoganit.