Një efektiv i Policisë Rrugore është arrestuar në Turqi pasi është kapur me drogë. Në pranga ka rënë efektivi Florenc Bicerri.
Ky i fundit pasi ka marrë leje nga Komisariati Rrugor i Tiranës më datën 5 Tetor ka udhëtuar nga Rinasi drejt Turqisë dhe ka qenë i shoqëruar nga shtetasi Kujtim Çeliku, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje.
Autoritetet turke kanë arrestuar të dy këta persona pasi iu gjetën një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Në saj të këtij operacioni në pranga ra gjithashtu edhe një tjetër shqiptar, i identifikuar si Adrian Qirici.
Në lidhje me përfshirjen e efektivit të Rrugores në trafik ndërkombëtar të drogës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia.
Në lidhje me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, të goditur nga autoritetet turke ju sqarojmë se: Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit. Sqarojmë se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë 05.10.2022. Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit. Ndërkohë, grupi i dedikuar hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me homologët turq, po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të rastit, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike.