Katerina Prifti, pronare e një dyqani në zonën e ish-Aviacionit në Tiranë, i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi qiramarrësja e saj, Lindita Luftija, apo Linda Kalemi, nuk pranon të lirojë objektin, edhe pse kontrata e qirasë ka përfunduar. Në shtator të vitit 2025, pronarja ia kishte dhënë ambientin me qira për një vit, kundrejt pagesës prej 400 mijë lekësh, me afat përfundimtar më 30 gusht 2026. Por, sipas denoncueses, përfundimi i kontratës nuk është shoqëruar me lirimin e pronës.Katerina Prifti pretendon, se qiramarrësja vonohej vazhdimisht në pagesa dhe nuk shlyente as faturat e ujit dhe të energjisë elektrike. Pasi i kërkoi të largohej nga ambienti, ajo thotë, se nuk arriti të zgjidhte situatën dhe iu drejtua Komisariatit nr. 2 për të denoncuar rastin.Punonjësi i policisë, Dëfrim Leka, konfirmoi, se ishte në dijeni të çështjes dhe se kishte një kallëzim, ndërsa bëri me dije, se çështja kishte shkuar në prokurori.Pas disa tentativash, “Stop” arriti të kontaktonte me Lindita Luftijan, por ajo pretendoi, se po kërcënohej dhe paralajmëroi, se do ta çonte çështjen në gjykatë. Edhe gjatë takimit ballë për ballë me gazetaren, qiramarrësja iu referua një neni të kontratës për rinovimin dhe pretendoi, se kishte ngritur padi ndaj saj.Ndërkohë, pronarja Katerina Prifti kërkon të rimarrë në posedim pronën e saj pas përfundimit të afatit kontraktor.
Në vend kanë vijuar në ditën e dytë protestat e studentëve. Mes objekteve, që u dogjën gjatë protestës është dhe Piramida e Tiranës, e promovuar në maj 2023,si një qendër moderne e teknologjisë dhe inovacionit. Ironia qëndron te fakti, se u promovua si qendër me 14 klasa për të rinjtë, por rezultoi me disa objekte biznesesh private. Nga ana tjetër kryeministri Rama ishte në mëngjes në shkollën e Europës, për të treguar, se as ajo nuk i kishte shpëtuar shkrumbimit.
Prindërit e bebeve të porsalindura në Tiranë kanë mbetur prej muajsh në pritje të “Shportës së bebes”, dhuratës simbolike me produkte për të porsalindurit, që u jepet nënave në maternitet. Sipas denoncimit të një prindi, familjeve u është thënë, se shportat nuk gjendeshin në stok dhe se do t’i merrnin në një moment të dytë nga Bashkia e Tiranës. Edhe pse të dhënat e lindjeve të reja janë marrë, shporta e produkteve nuk është dorëzuar ende.Pas denoncimit, “Stop” iu drejtua Bashkisë së Tiranës për të kërkuar sqarime. Bashkia bëri të ditur, se vonesa ka ardhur për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve të tenderit, duke lënë pezull shpërndarjen e shportave. Megjithatë, institucioni garantoi, se të gjitha lindjet e reja janë regjistruar dhe se “Shporta e bebes” do të shpërndahet shumë shpejt.



