lon Musk duket se është shumë i shqetësuar për Italinë dhe italianët. Kreu i Tesla-s, në negociatat për blerjen e Twitter-it, rikthehet të flasë në rrjetin social dhe ka frikë se italianët mund të zhduken. Njeriu më i pasur në botë flet për shkallën e rënies së lindshmërisë në botë, duke përfituar nga një raport i botuar nga Wall Strett Journal.
Italia nuk do të ketë më popullsi nëse vazhdojnë këto tendenca.
Kështu shkroi Musk, i cili në të kaluarën kishte paralajmëruar për rreziqet e shpopullimit global, por kësaj radhe ndalet për të folur për lindshmërinë në Itali, e cila ka shënuar një prej shifrave më të ulëta në botë.
Gjithçka në përgjigje të një postimi në Twitter nga studiuesi i sigurisë kibernetike me bazë në Romë, Andrea Stroppa, i cili kishte postuar një grafik të tendencave demografike që tregonin rënien e nivelit të lindjeve për dekada.
Sipas Istat në Itali, problemi i theksuar nga Musk është real. Në vitin 2021, Italia regjistroi shkallën e saj më të ulët të lindjeve të të gjitha kohërave, me pak më shumë se një fëmijë për grua, sipas Institutit Statistikor Italian, Istat, i cili përsëriti alarmin e lindjeve vetëm pak ditë më parë.
Më konkretisht Italia numëroi shtatë të porsalindur dhe dymbëdhjetë vdekje për një mijë banorë në vitin 2021.
Edhe pse kjo është pjesërisht për shkak të vdekshmërisë nga Covid, Istat parashikon rënien e popullsisë së vendit me 20% deri në vitin 2070, thënë ndryshe 12 milionë njerëz më pak nga sa janë aktualisht.