Elisa Spiropali: Nuk përjashtoj mundësinë për një Presidente grua, por jo unë

Ministrja: Nuk përjashtoj mundësinë të jetë një Presidente grua, por jo unë

Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën, socialistët do duhet të propozojnë emrin e Presidentit të ri për shkak të përfundimit të mandatit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një intervistë për Klan News flet për një proces gjithëpërfshirës, ndryshe nga Kryeministri Rama, i cili e përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me PD në këtë çështje.

“Ne do të bëjmë një proces gjithëpërfshirës, dhe synojmë të kemi në krye të këtij institucioni një figurë të paanshme dhe të përfaqësojë unitetin e popullit. Mund të përdoret instrumenti shumë efektiv i Këshillimit Kombëtar, të pyeten njerëzit për pëlqyeshmërinë që kanë për figura të ndryshme. Patjetër dhe PD dhe deputetë të tjerë kanë një proces të gjerë konsultimi, të dalim me një emër dinjitoz”.

Spiropali flet për mundësinë e të zgjedhurit për herë të parë një grua në krye të shtetit por dhe nëse ajo vetë e ka marrë një propozim të tillë.

“Kjo bisedë nuk është bërë. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë një Presidente grua, por përjashtoj mundësinë të jem unë”.

Sa i përket zgjedhjeve të 6 Marsit, Spiropali thotë se nuk i sheh si një referendum poliitk.

“Besoj se kemi kandidatët më të mirë për të qeverisur në ato bashki. Nuk e shohim si një referendum politik. Kandidatët përballë janë të copëzuar në beteja për dy njerëz, Lulzim Bashën dhe Sali Berishën”.

Ndërsa për debatet në parlament me dy opozitat brenda PD, Spiropali bën thirrje për të hequr dorë nga gjuha denigruese me socialistët./KlanNews

Të Fundit