Ekspertët: Vala e Omicron vjen në Janar

Infektimet janë përhapur te moshat aktive 35-44 vjeç

Ashtu si vendet e tjera europiane, edhe Shqipëria pret të përballet me një tjetër valë të Covid – 19 gjatë muajit Janar. Epidemiolgu Artan Simaku thotë për Tv Klan se shkaku kryesor është ardhja e variantit të ri Omicron edhe në vendin tonë.

“Tashmë janë konfirmuar rastet e para dhe parashikohet që do të jetë variant mbizotërues edhe në Shqipëri. Prandaj vaksinimi është më i rëndësishëm me qarkullimin e këtij varianti”.

Grupmoshat aktive janë ato që mbizotërojnë totalin e infektimeve me koronavirus.

“Është grupmosha 35 deri 44 vjeç me rreth 32% të numrit të rasteve pozitive, të ndjekur nga mosha 44 deri 64 vjeç. Nuk janë respektuar siç duhet masat dhe nuk është arritur në masën e duhur vaksinimi”.

Sipas Simakut, situata epidemiologjike është aktualisht e qëndrueshme, ndërsa rendit qytetet me numrin më të lartë të infektimeve.

“Në 2 javët e fundit incidencën më të lartë e ka rrethi i Sarandës, Himarës, Tiranës, Tepelenës dhe Himarës. Me tepër janë vatra familjare”.

Deri tani rreth 50% e popullatës ka marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës anticovid, ndërsa me dozën e tretë janë vaksinuar rreth 6.1% e popullsisë./TvKlan

Të Fundit