Në Gjermani, nga 1 shkurti do të futet një javë pune eksperimentale katërditore për 45 kompani për gjashtë muaj, dhe produktiviteti i punëtorëve do të matet gjatë kësaj periudhe.
Punonjësit do të marrin pagat e tyre aktuale pavarësisht orëve të shkurtuara të punës, raportoi Bloomberg.
Sipas raportit, qëllimi i eksperimentit është të kontrollojë nëse pretendimet e sindikatës se njerëzit që punojnë më pak janë jo vetëm më të lumtur dhe më të shëndetshëm, por edhe më produktivë në punën e tyre.
Bloomberg thekson se, sipas parashikimeve, deri në vitin 2034, tregu gjerman i punës mund të tkurret me më shumë se shtatë milionë njerëz për shkak të rënies së lindjeve dhe plakjes së popullsisë.
Përfitimet: rritja e produktivitetit dhe më pak mungesa
Përveç rritjes së produktivitetit, bizneset pritet të përfitojnë nga një reduktim i mungesave të kushtueshme për shkak të stresit, sëmundjes dhe rraskapitjes.
Në vitin 2022, gjermanët humbën mesatarisht 21.3 ditë nga puna, gjë që rezultoi në një humbje prej 207 miliardë eurosh, sipas të dhënave nga Instituti Federal për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë.
Përkrahësit e eksperimentit theksojnë se risia mund të tërheqë staf të ri në Gjermani, një vend i cili, sipas Eurostat, tashmë ka pjesën më të madhe të punonjësve me kohë të pjesshme në BE.
Mungesa e investimeve në inovacion dhe dixhitalizim ka penguar rritjen e produktivitetit në Gjermani dhe pa përmirësime në ato fusha, nuk ka gjasa që produktiviteti të rritet ndjeshëm thjesht duke reduktuar numrin e orëve të punës, sipas ekonomistit në Institutin e Nurembergut për Kërkimin e Tregut të Punës. Enzo Weber.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani, së bashku me inflacionin e lartë, i ka inkurajuar punëtorët në të gjitha industritë të kërkojnë paga më të larta dhe ulje të orëve të punës.
Drejtuesit gjermanë të trenave janë në grevë prej dhjetë ditësh dhe kërkojnë uljen e orarit të punës nga 38 orë në javë në 35 orë pa ulje të pagave.
Sindikata e të punësuarve në sektorin e ndërtimit kërkon një rritje prej 20 për qind për një pjesë të madhe të punëtorëve të saj, që janë rreth 930 mijë në total.