Vritet në Itali shqiptarja 35-vjeçare Klodiana Vefa.
Vrasja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në një rrugë periferike të Castelfiorentino të Firencës pak pas orës 20.00. Alarmi u dha nga disa banorë të zonës, të cilët dëgjuan të shtënat e armës.
Pak minuta më vonë, një ambulancë mbërriti në vend, por me gjithë përpjekjet e bëra, mjekët nuk mundën të bënin gjë tjetër veçse të konfirmonin vdekjen e saj. Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët e njësisë operative dhe karabinierët e Firences. Sipas një ndërtimi fillestar të ngjarjes nga hetuesit dyshohet se autori e ka pritur gruan në rrugë. Nuk dihet nëse ka pasur një debat mes gruas dhe vrasësit të saj.
Fakti është se autori ka nxjerrë një armë dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë. Një ekzekutim i pastër sipas rikonstruksioneve të para të karabinierëve që tashmë janë në kërkim të burrit të gruas shqiptare. Për momentin ai ka humbur gjurmët dhe nuk jeton më me viktimën. Karabinierët kanë nisur të intervistojnë disa persona, mes të cilëve edhe dy djemtë e viktimës.
“Corriere” shkruan se njëri prej tyre u ka treguar hetuesve për disa debate që kishte pasur mes nënës dhe babait në të kaluarën. Policia ka vendosur postblloqe në zonë. Karabinierët kanë kontrolluar edhe shtëpitë e braktisura, deri tani pa asnjë sukses.