Një ngjarje e rëndë është raportuar në Korçë, ku policia ka arrestuar një mjek kirurg të spitalit rajonal, pas akuzave për ngacmim seksual ndaj një 21-vjeçareje.
Sipas informacioneve paraprake, e reja ishte paraqitur në urgjencë për shkak të dhimbjeve të forta të barkut dhe të vjellave. Pas ekzaminimeve mjekësore, ishte vendosur që ajo t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për apandesit.
Referuar kallëzimit të bërë nga 21-vjeçarja, mjeku me inicialet N.N., 72 vjeç, i cili ishte kirurgu përgjegjës për trajtimin e saj, dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht gjatë kontrolleve mjekësore, duke e prekur në pjesë intime me pretendimin e ekzaminimit.
Pas denoncimit të bërë nga e reja, policia e Korçës ka marrë dëshminë e saj në ambientet e spitalit, ku ajo vijon të jetë e shtruar, dhe më pas ka bërë shoqërimin e mjekut, duke proceduar me arrestimin e tij.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.




