Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në Elbasan, teksa një 56-vjeçar ka mbetur i plagosur.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji”, ku 56-vjeçari ka qenë duke punuar. Ai ishte ngjitur mbi vinç për të riparuar një llambë elektrike, por aksidentalisht është rrëzuar dhe ka marrë plagë të rënda. Ai është dërguar me urgjencë në spital, teksa ende nuk dihen detaje mbi gjendjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit që mund të kishte rezultuar fatal.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 12:00, shtetasi E. B., 56 vjeç, punonjës i bashkisë Elbasan, gjatë punës mbi vinç, për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji”, dyshohet se për shkak të një defekti në vinç, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar. 56-vjeçari është në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.