Seanca u zhvillua këtë të Premte me dyer të mbyllura për shkak të trajtimit të çështjes që lidhet me minorenë. Marrja pa të drejtë e fëmjës, për të cilin policia vijon kërkimet ende, u denoncua nga e ëma e 3-vjeçarit Ille Gjuni më 13 Prill. Krahas dy të arrestuarve policia shpalli në kërkim gjyshen Bahrije Gjuni e cila mori fëmijën bashkë me vëllain e saj Flamur Selaj.

Kontrollet për gjetjen e vendodhjes së 3 vjeçarit vazhdojnë me intensitet nga policia e Durrësit, ku është kërkuar bashkëpunimin e disa drejtorive në vend. Ille Gjuni 23 vjeçe,nënë e një fëmijë të vetëm tha se pas vdekjes së të shoqit në aksident rrugor e dërgonte djalin te gjyshërit rregullisht, por të shtunën e kaluar nuk e kthyen më te e ëma, me pretendimin se u përket atyre.

Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim R.Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal. Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim A. Selaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal. Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. Selaj, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5(pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar”, thuhet në vendimin e sotëm të gjykatës./tvklan.al