Nerizan Hoxha, pronari i mjetit të parë që i është vënë zjarri në lagjen “Pavarësia” të Vlorës thotë se nuk ka dyshime se kush mund ta ketë shkaktuar ngjarjen teksa shton se nuk ka konflikte me asnjë njeri.
Hoxha shprehet se punon në ndërtim teksa kërkon që policia ta gjejë autorin/ët dhe të zbardhë ngjarjen.
“Jam Nerizan Hoxha. Nuk kam pasur konflikte me asnjë person. Nuk e di pse më është bërë kjo gjë. Unë punoj në ndërtim nga mëngjesi në darkë. Kam parkuar si çdo natë këtu. Nuk kam dyshime fare, nuk e di pse më është bërë kjo gjë. Shpresoj që policia të gjejë personin dhe të zgjidhë çdo gjë.”
Sjellim në vëmendje se 3 makina që kanë qenë të parkuara afër njëra-tjetrën në lagjen “Pavarësia” (2 prej tyre tip “Ford”) janë djegur pjesërisht dhe njëri tip “Volkswagen” është djegur plotësisht.
Policia dyshon se zjarri është vënë qëllimisht.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të vënies së zjarrit, identifikimin dhe kapjen e autorit.