E drejta e informimit, Ministria e Drejtësisë propozon uljen e gjobave për nëpunësit që nuk japin informacion

Disa ndryshime në ligjin për të drejtën e informimit janë hedhur për konsultim publik. Në draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, pika më e rëndësishme është ulja e gjobave që marrin institucionet shtetërore, në rastet kur nuk japin informacionin e kërkuar.

Sipas nenit 18 të ligjit aktual, nëse një institucion refuzon të japë informacion, nëpunësi përgjegjës gjobitet me një shumë që nis me 150 mijë dhe rrin deri në 300 mijë lekë.

Ndërsa ligji i ndryshuar e ul kufirin e poshtëm të gjobës në 50 mijë lekë.

Ministria e Drejtësisë e argumenton këtë ulje me pagat e nëpunësve publikë, që sipas saj, në disa raste janë disafish më të vogla se vetë gjoba.

“Në disa raste, të zbatuara edhe në praktikë, kufiri minimal i masës së gjobës ka rezultuar të jetë disa-fish më i madh se paga e nëpunësve publik dhe vendosja e një mase të tillë gjobe i shkakton një dëm të konsiderueshëm kushteve ekonomike dhe të jetesës së nëpunësit. Dënimi administrativ ka si synim kryesor parandalimin e shkeljes së ligjit, si dhe ndërgjegjësimin e shkelësit dhe jo dënimin e tij. Për këtë arsye masa e gjobës është rishikuar, megjithatë, është treguar kujdes që nga njëra anë të sigurohet proporcionaliteti duke ulur kufirin minimal të gjobës dhe, nga ana tjetër, të garantohet dhënia e një dënimi proporcional në raport me shkeljen, duke mos ndryshuar kufirin maksimal të vlerës së gjobës”, thuhet në relacion.

Ligji për të drejtën e informimit i jep çdo qytetari të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet. Njohja me informacionin e kërkuar bëhet përmes dokumentit origjinal, ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të  ankohet në rrugë administrative pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ankimi bëhet pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur: ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit ose ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit. Në rast të verifikimit nga Komisioneri të shkeljes të së drejtës për informim, aplikohen gjoba të drejtpërdrejta ndaj titullarit të institucionit, koordinatorit të së drejtës së informimit apo për çdo nëpunës përgjegjës për mosdhënie informacioni.

 

Të Fundit