TIRANË – Pezullohet nga detyra efektivi i “Shqiponja” Y.D, i cili sulmoi sot policin e Rrugores.
Në njoftimin e policisë thuhet se “Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit Y. D., punonjës Policie pranë Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Barrikadave në Tiranë.
Punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, shtetasi N. H., ka konstatuar në parakalim të gabuar dhe me xhamat e errësuar automjetin me drejtues shtetasin Y. D., të cilit i ka bërë shenjë ndalimi.
Drejtuesi i mjetit pasi ka ndaluar, është konfliktuar me punonjësin e Policisë, shtetasin N. H., të cilin e ka ofenduar e goditur për shkak të detyrës.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë.
Po në lidhje me këtë ngjarje është duke kryer veprime AMP.