Një 47-vjeçare e shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Elbasan, si rezultat i një operacioni të koordinuar mes Policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane.
Majlinda Avduli, e njohur edhe me emrin Dajana Tafani, u lokalizua dhe u vu në pranga nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 44”. Ajo ishte në kërkim nga Interpol Roma, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në Cagliari, Itali, e cila në vitin 2016 e dënoi me 9 vjet, 6 muaj e 22 ditë burgim për përfshirje në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi i saj u mundësua në sajë të bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Aktualisht, autoritetet shqiptare po punojnë me homologët italianë për finalizimin e procedurave të ekstradimit të saj drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin.
Kjo është një tjetër goditje ndaj personave të përfshirë në veprimtari kriminale ndërkombëtare, si dhe një dëshmi e efikasitetit të bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese shqiptare dhe partnereve ndërkombëtarë.