Në lagjen “Gërmadhë”, në fshatin Ferraj të Njësisë Administrative Dajt, prej vitesh, rreth 40–50 familje jetojnë pa furnizim me ujë të pijshëm dhe pa rrjet kanalizimesh. Banori Hamit Kodra është i vetmi, që ka guxuar të denoncojë situatën, duke treguar, se mungesa e rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, i detyron banorët të sigurojnë ujin vetë. Ai udhëton çdo ditë drejt Linzës, në Shkallën e Tujanit, për të mbushur ujë për familjen, një rrugë, që e përshkon disa herë në ditë, sidomos gjatë verës, duke shpenzuar kohë e mund. Gazetarja e “Stop” u bë pjesë e “ritualit” për ujë bashkë me Hamitin. Kryetari i Njësisë Administrative Dajt, Alfred Brahja, pranoi, se mungesa e ujit dhe kanalizimeve është një problem i hershëm, i pazgjidhur ndër vite, duke përmendur edhe paqëndrueshmërinë në drejtimin e UKT-së, si një nga arsyet. Ai theksoi, se ka bërë kërkesa zyrtare dhe përpjekje për zgjidhje alternative. Drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, premtoi, se brenda një jave, do të nisë hartimi i projektit për zonën dhe më pas investimi konkret për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.



