Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e akuzuar në dy dosje hetimore nga SPAK për lidhje me dy organizata kriminale, vëllezërit Çopja dhe atë të Suel Çelës, ka kërkuar të lirohet nga qelia për arsye shëndetësore.
Për të verifikuar pretendimet e ish-magjistrates, Gjykata vendosi caktimin e dy ekspertëve të mjekësisë ligjore, të cilët do të përcaktojnë nëse qëndrimi në qeli mund të rrezikojë jetën e saj dhe të sjellë komplikacione shëndetësore.
Me vendimin e kësaj të premteje, gjykata vendosi që pas njoftimit të Mjekësisë Ligjore, ekspertët të paraqiten në seancën e ardhshme më 10 shkurt në orën 11:00, ku do të japin konkluzionet e tyre.
Sipas hetimeve të SPAK dhe komunikimeve të zbardhura në aplikacionin SKY ECC, ka rezultuar se funksionarja e drejtësisë, e cila dha dorëheqjen nga detyra në prag të vetingut, ka mbajtur kontakte me anëtarët e grupit Çopja përmes shtetasit Arzen Mama me të cilin gjyqtarja ka patur lidhje miqësore. Në biseda anëtarët e grupit Çopja i referohen gjyqtares me nofkën “komshija”.
Nga përgjime e Sky, gjyqtarja del në komunikime dhe kreun e bandës tjetër të Elbasanit Suel Çelën, me të cilin shfaqet në një raport të afërt duke e ndihmuar në çështjet e këtij të fundit me drejtësinë.