Durrës/ Humbi lekët në bixhoz, menaxheri organizon grabitjen e karburantit

Dy persona janë arrestuar nga policia lidhur me grabitjen e një karburanti në aksin Tiranë –Durrës, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së dielës.

Bëhet me dije se janë vënë në pranga Gert Farruku 23 vjeç menaxher i karburantit dhe Arsid Haxhija 22 vjeç pronar i lokalit pranë karburantit.

Nga hetimet u zbulua se në lokalin e karburantit organizoheshin lotari të palejuara. Menaxheri i karburantit, Gert Farruku për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi.

Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, 23-vjeçari e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e Arsid Haxhija, i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga Farruku.

Për shkak të humbjeve të mëdha, menaxheri i karburantit dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë  borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit Gert Farruku, dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit Arsid Haxhija.

Të Fundit