“Duhet të justifikojnë të ardhurat”, Rama paralajmëron: Të rinjtë me makina luksoze që s’respektojnë rregullat e qarkullimit do hetohen! – Stop
Lajme, Të Gjitha

“Duhet të justifikojnë të ardhurat”, Rama paralajmëron: Të rinjtë me makina luksoze që s’respektojnë rregullat e qarkullimit do hetohen!

Ashtu siç e njoftoi dhe ditën e djeshme, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, kryeministri Rama deklaroi se do të hartohet një ligj për të hetuar të gjithë të rinjtë të cilët lëvizin me automjete luksoze dhe shkelin rregullat e qarkullimit.

Sipas tij, do të bëhet një hetim për justifikimin e këtyre të ardhurave, por ky projekt do të konkretizohet në momentin që do të plotësohet me kuadrin ligjor.

“Unë mendoj që lënia e topit për çdo gjë tek policia e shtetit, jo vetëm që nuk ndihmon dhe nuk është një mënyrë logjike për të zgjidhur gjërat, por ndihmon ata që shkelin ligjin. Këto teoritë se këtu vetëm populli i varfër ndalohet në rrugë se të tjerët ikin, thjesht rrisin potencialin për të shkelur rregullat.

Shumica dërrmuese e respektojnë ligjin. Ka një pjesë që është shumë e vogël dhe bën zhurmë shumë të madhe. Ne jemi duke punuar për të parë që të jetë diçka e argumentuar nga pikëpamja ligjore. Të rinjtë që përdorin makina luksoze që shkelin rregullin, të mos ndalojë aty, por të hetohen se nga i kanë gjetur të ardhurat. Kjo kërkon pak kohë për t’u sistemuar nga ana ligjore” – tha Rama.

Kreu i qeverisë thotë se i respekton të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas tij, ka pasur raste që janë gjobitur ministra për mosrespektimin e rregullave.

“Kur të kapni makinën time në autokolonë, apo të ministrave që nuk respektojnë semaforët, atëherë ecni dhe më bëni moral. Unë qëndroj në çdo semafor. Me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem kur ka ndonjë emergjencë. Kjo është njësoj për të gjithë. Ministrat e qeverisë time kanë marrë gjoba nga policia për moszbatimin e rregullave. Shumë gjëra janë për t’u bërë, por dhe kjo që u harruan të gjitha për kohërat që disa nuk pyesnin as për semaforë.

Përsa i përket ndërtimeve pa leje. Nuk kam bërë ndonjëherë aksion por është një proces i vazhdueshëm. Në tërësinë e tyre, nuk bëjmë krahasime fare me kohën kur ishte bumi i madh i ndërtimtarisë pa leje. Se çfarë përgjegjësish kemi ne, policia, të jeni të bindur që as nuk bëj asnjë përpjekje për të shmangur, por vetëm i vendos në pah” – tha Rama.

Previous ArticleNext Article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *