Një 20-vjeçar nga Kamza është arrestuar nga Policia e Tiranës pas një operacioni për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga Spanja, me qëllim shitjen në Shqipëri.
20-vjeçari E.P., me banim në Kamëz, u kap në flagrancë gjatë operacionit “Adresa”, në momentet kur po merrte një pako me 593 gramë kanabis me përqindje të lartë THC, e cila vinte me postë nga Spanja.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u bë i mundur edhe identifikimi i porositësit të pakos, shtetasit B.C., 38 vjeç, për kapjen e të cilit Policia vijon intensivisht punën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
“Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe me Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, finalizoi operacionin “Adresa”.
Gjatë operacionit, u vu në pranga shtetasi E. P., 20 vjeç, banues në Kamzë, i cili u kap në flagrancë, në një degë postare në kryeqytet, gjatë marrjes së një pakoje me 593 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, të dyshuar të trafikuar nga Spanja.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni u mundësua dhe identifikimi i porositësit të pakos, shtetasit B. C., 38 vjeç, për kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.