Një adoleshent shqiptar është arrestuar nga policia britanike pasi u kap brenda një fabrike kanabisi në Staffordshire. Policia zbuloi 188 bimë narkotike në “shtëpinë e barit” ku ndodhej adoleshenti.
Sipas të dhënave nga gjykata, Geraldo Meta, kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar gjashtë muaj më parë dhe kishte qenë i pastrehë. Mediat britanike shkruajnë se ai ishte rekrutuar nga grupet kriminale për të punuar në aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të kanabisit.
Tashmë 19-vjeçari u burgos për 9 muaj. Prokurori Andreë Wallace tha se policia u thirr në pronë më 20 dhjetor dhe i pandehuri u gjet i fshehur në shtrat i mbuluar me jorgan.
“Policia u lajmërua se brenda banesës po kultivohej kanabis. Pasi u futën me forcë brenda, efektivët gjetën të pandehurin të fshehur nën një jorgan në shtrat. Bimët u gjetën brenda garazhit. Në katin e sipërm u gjetën 68 bimë, nga të dhënat duket se kishte pasur qartë një rritje të mëparshme atje”, tha prokurori.
Meta, pa adresë fikse, u deklarua fajtor për prodhimin e drogës së klasit B. Gjykata dëgjoi se ai nuk kishte dënime të mëparshme. Dhe se kishte ardhur në Britaninë e Madhe për të shlyer një borxh të familjes.
“Ai është 19-vjeçar, shumë naiv dhe iu dha mundësia. Ai u soll në Stoke-on-Trent me idenë se do të bënte një kopsht në atë pronë. 19-vjeçari mbërriti me gomone në Britaninë e Madhe, ndërsa u shpreh se babai i tij ishte i sëmurë dhe për këtë arsyeje kishte emigruar për të shlyer borxhet. Familja e tij nuk mund të paguante dhe ai kishte frikë se mos e rrihnin ose më keq, kështu që u largua. Në Shqipëri ai jetonte me motrën, mamin dhe babin, ndërsa ishte kamarier para se të largohej nga vendi i tij”, pohoi avokati Peter McCartney.