Do të hiqet aboneja për muajin mars, Shoqata Transportit: Jemi në kolaps!

Pas paralajmërimit të Shoqatës së Transportit Urban për të ndërprerë shërbimet për shkak të vështirësive ekonomike, kësaj here është Unioni i Transportit ai që njofton se për muajin mars nuk do të ketë biletë pajtimi mujor, ose abone.

Kjo është përgjigjja pas mosreagimeve të qeverisë për plotësimin e kërkesave (tabela bashkëngjitur fotos) që do t’i ndihmonte operatorët të kapërcenin krizën dy vjeçare të këtij sektori.

Sidoqoftë, në njoftimin publik, ata lënë një shteg të hapur për t’u rikthyer me të gjitha shërbimet në rast se përmbushen pritshmëritë e tyre

“JEMI NË KOLAPS”

Me një njoftim të shkurtër ku vënë në dijeni qytetarët se janë detyruar të ndërmarrin këtë hap pas kërkesave të rëna në vesh të shurdhër, Unioni i Transportit Publik e thotë qartë se e ka të pamundur të operojë normalisht duke ofruar të gjitha shërbimet.

“Në vijim të shkresave dërguar të gjitha institucioneve vendimmarrëse në lidhje me problematikat e transportit publik qytetas në nivel kombëtar, që kanë të bëjnë me pamundësinë financiare të operimit normalisht, informojmë qytetarët se në mungesë të një ndihme reale nga qeveria, janë të pamundur për të ofruar të gjitha shërbimet e këtij aktiviteti.

Sa më sipër, për muajin mars, nuk mund të ofrohet si shërbim me bileta të pajtimit mujor (ABONE), pasi aktiviteti që ne përfaqësojmë ndodhet në kolaps ekonomik.

Mbetemi ende me shpresën e një zgjidhjeje të kësaj situate sipas premtimeve të bëra”, citohet në njoftimin e shpërndarë nga unioni për mediat.

PARALAJMËRIMET

Nuk është kjo hera e parë që transporti publik kërcënon heqjen e një shërbimi. Ka më shumë se një vit që operatorët thonë se ndodhen para vështirësive dhe jo vetëm që nuk fitojnë, por dalin me humbje.

Herë pas here i kanë nisur letra Kryeministrit, Ministrisë së Transportit, kryetarit të bashkisë, të cilëve u bëjnë me dije situatën ku ndodhen, duke iu kërkuar kësisoj të marrin masa, me qëllim që shërbimi të mos ndërpritet.

Përballjet kulmuan në fund të tetorit të 2021-shit, ku pasi përgjysmuan flotën në qarkullim, kërcënuan se nuk do të dilnin më. Ishte Bashkia e Tiranës ajo që “ua mbylli gojën”, por përkohësisht, kundrejt një premtimi për dhënien e një ndihme prej 1 milion eurosh në formë subvencioni.

E gjitha do të përpjesëtohej mes dhjetëra kompanive dhe do të jepej e ndarë me këste. Vendimi u mor në dhjetor dhe në 2022-shin u tha se do të nisë lëvrimi i kësteve (operatorët mohojnë të ketë ndodhur një gjë e tillë).

Pra, as kjo ndihmë e bashkisë nuk i kënaqi operatorët e transportit urban, të cilët kanë nisur dhe intensifikuar përpjekjet për të marrë nga pushteti qendror rimbursim të TVSH-së, heqjen e akcizës, të taksës së qarkullimit në karburant dhe rimbursim nga ministritë e linjës për kategoritë e qytetarëve që udhëtojnë falas.

Më herët Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas deklaroi se rritja e çmimit të naftës shtoi vështirësitë e operatorëve, dhe për të kompensuar humbjet, është i domosdoshëm miratimi i kërkesave të tyre fiskal.

Të Fundit