“Do bëhemi Super Sparta”- Komentet e Netanyahut ndezin debat për vizionin e Izraelit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është vënë në qendër të kritikave pas deklaratës së tij se Izraeli duhet të shndërrohet në një “Super Sparta”, në kushtet e izolimit diplomatik dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.

Në një fjalim që shkaktoi edhe rënie të tregut të aksioneve në Tel Aviv, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli duhet të ndërtojë një të ardhme të militarizuar dhe më pak të varur nga tregtia ndërkombëtare. Ai foli për nevojën e “pavarësisë ekonomike” dhe përgatitjes për një realitet më të ashpër në raport me botën.

Netanyahu akuzoi disa shtete për izolimin e Izraelit në arenën ndërkombëtare.

“Njëra është Kina dhe tjetra është Katari. Ata po organizojnë një sulm ndaj Izraelit dhe legjitimitetit të tij në mediat sociale të botës perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara,” tha ai.

Deklaratat e Netanyahut erdhën pak pasi një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë si kryeministrin. Sipas raportit, mbi 64 mijë palestinezë, shumica civilë, kanë humbur jetën që prej nisjes së ofensivës.

Qeveria izraelite i ka mohuar akuzat, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton çështjen. Paralelisht, Netanyahu ka urdhëruar intensifikimin e operacioneve tokësore në Gaza.

Kryeministri izraelit theksoi se presioni mbi qeveritë evropiane po ushtrohet edhe nga komunitetet myslimane në Perëndim.

“Evropa Perëndimore ka pakica të mëdha islamiste. Ato janë të zëshme, të motivuara politikisht dhe të lidhura me Hamasin e Iranin,” tha Netanyahu, duke iu referuar vendeve si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Belgjika, të cilat po shqyrtojnë njohjen e Palestinës në OKB.

Komentet për “Super Spartën” janë interpretuar si një vizion për një Izrael të izoluar, më të mbyllur dhe të militarizuar. Kritikët e brendshëm e cilësojnë këtë si një qasje që rrezikon ekonominë dhe marrëdhëniet me aleatët kryesorë perëndimorë.

Të Fundit