Emisioni “Stop” i është drejtuar Maliqit, ku është djegur Pallati i Kulturës që në 14 Dhjetor të vitit 2016 dhe që ende nuk është restauruar. Nënkryetari i Bashkisë së Maliqit, Vasillaq Cinoku u shpreh se është folur me një studio në Tiranë për t’ju përmbajtur projektit rus.
“Ne po i përmbahemi projektit rus. Për fat të mirë projekti i kinemasë ishte depozituar dhe ruhej nga bashkia jonë. Ne për këtë projekt kemi kontaktuar me studion “Dean” në Tiranë, e cila është në përfundim të projektit. Ky projekt ripërtërihet në krahasim me atë që ka qenë, duke patur si synim që të jetë një pallat që të jetë me parametrat e kohës, duke i shtuar edhe Teatrin e Kukullave”, tha nënkryetari Cinoku.
Ai tregoi se pas përfundimit të projektit, pushteti lokal do t’i drejtohet qeverisë dhe Ministrive përkatëse për financimin e Pallatit të Kulturës, që shkon në vlerën 180 milionë Lekë të reja. Por se kur do të nisë rikonstruksioni nuk dihet ende.
Ndërsa Dhimitër Orgocka, emrin e të cilit mban dhe ky institucion kulturor, rrëfeu me nostalgji detaje nga Pallati i dikurshëm i Kulturës dhe bëri thirrje për rindërtimin e tij.
“Janë ndonjëherë disa ngjarje që do, s’do, të lejnë pa mend. Kështu më ndodhi edhe mua atë mëngjes kur më thirrën pa gdhirë dhe më thanë që po digjet Pallati i Kulturës”, u shpreh i emocionuar Orgocka.
Artisti i Merituar tregoi se institucioni kulturor ishte në gjendje shumë të mirë dhe me kushte të favorshme për aktivitetet artistike. Ndërsa tani ata nuk kanë se ku të zhvillojnë provat dhe detyrohen t’i kryejnë në lëndinën para Pallatit të Kulturës ose brenda saj, pavarësisht faktit që është e rrënuar.
“Më besoni që fjala ime është si një jehonë e të gjithë maliqarëve që kjo të bëhet. Tani unë jam plak dhe pallati do bëhet një ditë, nuk ka diskutim, por për ne pleqtë të bëhet sa më parë të jetë e mundur se të rinjtë mund të presin më gjatë, ndërsa ne nuk presim dot më shumë!”, e përmbylli apelin e tij aktori i përlotur.