Sot në Ditën Botërore të Mjedisit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro renditi disa nga nismat e ndërmarra nga qeveria për të mbrojtur mjedisin.
Sipas ministres, kjo ditë gjen vendin me Planin e Pastrimit Kombëtar dhe ndalimin e qeseve plastike.
Në Ditën Botërore të Mjedisit, me reflektimin se natyra nuk është një vend që e vizitojmë herë pas here, por është shtëpia jonë e vetme ku jetojmë ditë për ditë.
Jo më kot më shumë se asnjëherë tjetër ky 5 qershor na gjen me Planin e Pastrimit Kombëtar, që prej nëntorit vazhdon çdo ditë për të rikthyer normalitetin në territor; me ligjin e ri të ndalimit të qeseve njëpërdorimshme, duke nxitur reduktimin e plastikës; me ndërgjegjen e shtuar se mjedisi është veç një, e po s’ia bëmë sot hyzmetin, nesër për fëmijët tanë pasojat do të jenë të rënda.
Por, sipas saj, këtë s’e arrijmë dot vetëm pa ndihmën dhe bashkëpunimin e secilit prej jush.
“E nëse s’ndihmon dot, të paktën mos ndot”, apeloi ministrja Kumbaro.
5 qershori si Dita Ndërkombëtare e Mjedisit e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ka për qëllim shtimin e ndërgjegjësimit rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.