Autorët me maska dhe armë, dalin pamjet e grabitjes së bankës në Koplik

Vëzhguan disa ditë bankën të veshur si policë

Ky është momenti kur grabitësit e bankës në Koplik 1 muaj më parë, futen në ambientet e brendshme dhe duke kërcënuar më armë, marrin prej andej 10 mijë euro, 1 mijë dollarë dhe 400 mijë lekë.

Pasi e vëzhguan bankën të veshur si punonjës policie për disa ditë, në orët e pasdites së 9 majit, Bekim Gurraj, Armir dhe Admir Shabaj finalizuan planin.

Për t’u larguar ata përdorën një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e dogjën tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës” në Koplik.

Armët e përdorura i hodhën në ujë për të fshehur gjurmët. Ato u gjetën nga polumbarët e RENEA-S në degëzimin e Liqenit të Shkodrës.

Hamdi Fjora, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër: Nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan. Po nga hetimet rezultoi se këta shtetas, armët e zjarrit, pas ngjarjes, i kanë hedhur në ujë, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës.

Rrobat dhe mjetet e përdorura për vëzhgim, u gjetën në banesën e shtetasit Bekim Gurraj.

“U gjetën dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditë para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit, me qëllim realizimin e vjedhjes”.

Gjatë kontrolleve për zbardhjen e ngjarjes, Policia zbuloi edhe një shtëpi të përshtatur për rritjen e kanabisit, ku u gjetën 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës. Në pranga ra shtetasi Ramiz Nikdukaj dhe dy persona të tjerë nga Elbasani që punonin për rritjen e bimës.

Tv Klan

Të Fundit