Dhuna në lokal ndaj dy kushërinjve, shpallet në kërkim Rexhep Rraja

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një tjetër person për dhunën barbare të ushtruar ndaj dy kushërinjve në një lokal në Fushë-Krujë, një ditë më parë. Burime për Klan News bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Rexhep Rrajën, djalin e deputetit të PS, Rrahman Rraja.

“Në vazhdim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një grup personash kanë goditur me sende të forta shtetasit Bilbil Maja dhe Jashar Maja, Policia e Shtetit ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Në vijim të veprimeve hetimore është identifikuar dhe shtetasi Rexhep Rraja, për të cilin janë dërguar materialet pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Rexhep Rraja, është shpallur në kërkim policor dhe vijon puna nga shërbimet e Policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për ngjarjen deri në këto momente në pranga janë vënë Ineidi Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja. Ndërsa në kërkim, përveç Rexhep Rrajës janë shpallur, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Klajdi Rraja.

NGJARJA Me shkopinj bejsbolli, sende të forta dhe pistoletë në dorë, 8 persona zbresin nga 3 makina dhe nisin të dhunojnë barbarisht dy kushërinjtë Bilbil Maja dhe Jashar Maja, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë. Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e së enjtes.

Shkak i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet të jetë bërë një konflikt mes kushërinjëve dhe grupit të dhunuesve për një gurore në Borizanë në pronësi të Petrit Rrajës. Policia thotë se konflikti ka nisur pas pretendimeve të dy kushërinjve të cilët kanë shprehur shqetësime se kur ndodhin plasje në gurore, dëmtohen banesat e tyre.

 

 

 


Rexhep Rraja nuk është emër i panjohur, si për policinë ashtu sikurse edhe për publikun. Në 2018-n ai u arrestua pas denoncimit të ish-të dashurës së tij Xhisiela Maloku, për ushtrim dhune e përndjekje. Për ngjarjen në fjalë ai u dënua nga Gjykata e Krujës me 1 vit shërbim prove.

Të Fundit