“Dhimbjet e efektivëve për braktisjen e poshtërimin i ndjej përditë”, Basha homazhe për nënkomisarin : Do bëjmë gjithçka për t’i kthyer dinjitetin policisë

TIRANË

Kreu i PD Lulzim Basha zhvilloi sot homazhe në nder të nënkomasarit Saimir Hoxha i vrarë një ditë më parë në Lezhë. Në një prononcim për mediat Basha tha se nuk është dita për të treguar gishtin e përgjegjësisë, por shtoi se Partia Demokratike do të punojnë për të rikthyer në vend dinjitetin e humbur të policëve Shqipëri.

“Jam këtu për ti dhënë lamtumirën e fundit nënkomisar Saimir Hoxhës, bashkë me lutjet e mia dhe të gjithë kolegëve, bashkëpunëtorëve të mi, që shpirti i tij të prehet në paqe dhe që zoti t’ia lehtësojë dhimbjen e padurueshme bashkëshortes, fëmijëve, prindërve, famljarëve të tij. Dhe po kështu për të shprehur solidaritetin tim të plotë dhe mbështetjen time për vëllezërit dhe motrat në uniformë të Saimir Hoxhës, të cilët përballen ditë për ditë me rrezikun vdekjeprurës të luftës kundër krimit dhe mbrojtjes së ligjit, jetës, sigurisë së çdo qytetari, së çdo qytetareje dhe të gjithë fëmijëve të këtij vendi.

Sot nuk është dita për të ngritur gishtin e përgjegjësisë, por si drejtues i dikurshëm i tyre ju them se dhimbjen e tyre të përditshme për braktisjen dhe poshtërimin që ndjejnë, e ndjej përditë dhe se unë dhe Partia Demokratike do të bëjmë gjithçka që sakrificën e tyre, uniformën e tyre dinjitetin e tyre ta vëmë në vend një orë e më parë dhe hapi i parë për këtë do të jetë një shtet dhe një qeveri në krah të vëllezërve dhe motrave në uniformë të Saimir Hoxhës, në krah të policisë në krah të ligjit dhe kundër krimit. I paharruar qoftë kujtimi i tij.” u shpreh Basha.

Në homazhe Basha shoqërohej nga nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj si edhe deputetja e qarkut të Lezhës Lindita Metaliaj.

 

 

Të Fundit