Teksa qeveria miratoi vendimin për të mbajtur me detyrim për 5 vite studentët e mjekësisë në atdhe pas përfundimit të studimeve, këta të fundit, kanë nisur protestën e tyre. Mësohet se studentët kanë nisur marshimin e tyre, drejt Kuvendit. Studentët u mblodhën në oborrin e fakultetit, pranë rektoratit dhe më pas nisën marshimin drejt Kuvendit, në një kohë kur ligjvënësit pritet të diskutojnë për çështjet e ditës. “Bashkohuni me ne!”, me këto thirrje e nisën marshimin e tyre studentët, duke vijuar; “E duam Mjekësinë si gjithë Europa” apo dhe “Anuloni vendimin, zero kompromis!”.
Studentët që në fillim u shprehën kundër draft-propozimit, që shpejt pritet të kthehet në një vendim të miratuar, siç konfirmoi një ditë më parë kryeministri Edi Rama. Studentët theksojnë se nuk duan të largohen nga Shqipëria, por e cilësojnë si një masë represive dhe në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut mbajtjen me detyrim në atdhe. Ata kërkojnë nga ministritë përkatëse përmirësimin e kushteve, të auditorëve, ambienteve të praktikave dhe spitaleve rajonale, që sipas tyre, nuk përmbajnë elementet për ushtrimin normal të profesionit.
Nga ana tjetër qeveria, ndryshoi propozimin e artikuluar më herët. Për studentët që do të regjistrohen rishtazi në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të nënshkruajnë një kontratë, që i mban të lidhur për 5 vite në ushtrimin e profesionit në Shqipëri.
Ata që janë duke vazhduar studimet, duke nisur nga viti i dytë e deri në të katërtin, kjo kohë do të jetë 3 vite, ndërsa për vitet e 5 dhe të 6, ushtrimi i profesionit me detyrim do të jetë 2 vite. Këto masa shikohen nga qeveria dhe dikasteret përkatëse, si të duhura për të frenuar emigracionin e bluzave të bardha. Duke nisur nga ky vit i ri akademik, janë rritur edhe kuotat e pranimit në Universitetin e Mjekësisë.
Pritet të jetë 500 maturantë që do të pranohen në këtë degë studimi, por me kushtin që krahas provimeve të përfunduara të maturës, të kalojnë me sukses një tjetër provim në formatin elektronik për vlerësimin e njohurive.