Denoncuar disa herë nga “Stop”, shkarkohet Prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj

KPK ka shkarkuar Prokurorin e Gjirokastrës, Emror Kasaj.

Kasaj u përball për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 5 maj lidhur me problemet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit.

Në fillim të seancës, kryesuesja Xhensila Pine sqaroi se ishte pranuar kërkesa e prokurorit Kasaj e paraqitur në seancën e mëparshme më 17 mars për riçeljen e hetimit edhe në dy kriteret e tjera, por relatori Komici konstatoi të enjten se ishte riçelur hetimi edhe për pasurinë, prej nga vërehej paqartësi e burimeve financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur. Sipas Komicit, nga analiza financiare paraprake për periudhën 2010-2016 Kasaj rezulton me balancë negative në vlerën e 31 milionë lekëve.

Kasaj e kundështoi analizën e KPK-së gjatë seancës parardhëse. Ai pretendoi se ishte treguar “naiv i madh” në një sërë transaksionesh, që sipas relatimit të Komisionit e nxirrnin me deklarime të rreme, pasuri të fshehur dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia, shkruan BIRN.

Edhe në seancën e të enjtes, prokurori Kasaj në mënyrë të përmbledhur e kundërshtoi pamundësinë financiare të konstatuar nga Komisioni. Ai deklaroi se sipas një akt-ekspertimi privat që kishte kryer rezultonte me balancë pozitive gjatë gjithë periudhës së hetuar.

Subjekti kërkoi që të mos i konsiderohej si shpenzim gjysma e vlerës së banesës 1 milion e 250 mijë lekë, duke pretenduar se gjithçka ishte mbuluar nga i ati. Po ashtu, kërkoi të mos konsideroheshin shpenzimet për udhëtimin dhe qëndrimin për dy javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA duke deklaruar se ato ishin mbuluar nga organizatorët e trajnimit.

Të Fundit