Policia e Tiranës ka nisur hetimin për një jurist të Kadastrës dhe shpallën në kërkim një person tjetër pas rastit të denoncuar në emisionin “Stop” në Tv Klan.
“Dyshohet se do të përfitonin një shumë parash nga një shtetas, për t’i gjeneruar një certifikatë. Punohet për kapjen e 50-vjeçarit, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të implikuar në këtë rast”, njoftoi policia.
Kujtojmë se më 8 shtator, “Stop” trajtoi rastin e një qytetari, i cili kërkonte pronësinë e shtëpisë së babait, pasi ky i fundit kishte ndërruar jetë.
Të gjithë trashëgimtarët kanë firmosur që prona t’i kalojë atij por nuk ka gjetur zgjidhje në Kadastër.
Në zyrat e Kadastrës ai ra në kontakt me personin e shpallur në kërkim, D.M. Sekseri në fjalë i kërkoi 185 mijë lekë nën dorë në këmbim të pajisjes me certifikatë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. A., 39 vjeç, me detyrë jurist i një institucioni shtetëror, si dhe shpallën në kërkim shtetasin D. M., 50 vjeç, pasi në bazë të një video-je të transmetuar në një emision investigativ, dyshohet se do të përfitonin një shumë parash nga një shtetas, për t’i gjeneruar një certifikatë. Punohet për kapjen e 50-vjeçarit, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të implikuar në këtë rast