Denoncimi Në “Stop”, Pezullohen Dy Policët Në Belsh

Policia e Elbasanit ka pezulluar dy efektivët që u denoncuan mbrëmjen e djeshme në emisionin “Stop”

“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në zbatim të nenit 222 të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të këtij rasti, 2 punonjësit e Policisë:

-inspektor Skënder Nipolli me detyrë ndihmësspecialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Belsh;

-inspektor Genc Çalja, aktualisht me detyrë ndihmësspecialist (agjent krimesh) në Komisariatin e Policisë Cërrik”, njoftuan uniformat blu.

Në njoftimin e tyre thuhet se ka nisur hetimi disiplinor për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.

 

Ylli Gjoshi, një banor i fshatit Seferan në Belsh, denoncoi policët e bashkisë dhe të komisariatit pasi sipas tij i kanë marrë një shumë parash për të lejuar një ndërtim pa leje që ai kishte nisur.

Në fillim ka qenë polici bashkiak Agron Hysa, që i është shfaqur teksa punonte dhe të cilit, Gjoshi tha se i dha 500 Euro pasi ai i kishte thënë se ia nxirrte lejen.

Mirëpo pasi kishte përfunduar punimet dhe po ndërtonte avllinë, i kanë shkuar dy policët e sapo pezulluar, Nipolli dhe Çalja.

Madje në një video të dokumentuar, ata i kanë shkuar me furgon. Në këtë moment, Gjoshi tha se i ka dhënë 500 mijë lekë dhe paratë i ka futur në furgon.

Të Fundit