Pjerin Lazri, shefi i Komisariatit të Pukës, është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit pas transmetimit të një rasti të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”. Drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, pasi është njohur me rastin e ka shkarkuar dhe e ka përjashtuar Lazrin për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe të Komunikimit dhe për tejkalim të kompetencave, duke abuzuar rëndë me atributet që i jep ligji dhe detyra.
“Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe si e tillë nuk mund të kenë vend në radhët e saj, punonjës policie që me veprimet e tyre abuzive shkelin liritë e të drejtat e qytetarëve dhe cënojnë besimin e mbështetjen e tyre, për mijëra burra, gra, djem dhe vajza të Policisë së Shtetit që përballen përditë me krimin dhe që punojnë e sakrifikojnë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike”, njoftoi policia.
Në videon e publikuar në emisionin “Stop”, Lazri shfaqej teksa shante një qytetar dhe jo vetëm. Ai edhe e ka goditur atë. Sipas denoncuesit e gjitha ngjarja ka ndodhur për një inat personal të Lazrit. Ky i fundit, duke përfituar edhe nga posti, i ka dërguar patrullën e policisë për t’i hequr patentën.