Policia e Pogradecit ka ndaluar infermierin Metjan Muço pas denoncimit në emisionin “Stop” mbrëmjen e së martës. Policia thotë se 36-vjeçari është ndaluar për veprën penale “Ngacmim seksual”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin Metjan Muço, 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Ngacmim seksual”. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 17.09.2024, në televizionin “Klan”, gjatë emisionit investigativ “STOP”, janë shfaqur pamjet filmike ku shtetasi Metjan Muço, me profesion infermier në Urgjencën e Spitalit Pogradec, është denoncuar nga një shtetase me pretendimin se është ngacmuar seksualisht nga ky shtetas”, njoftoi policia.
Denoncimi në emisionin “Stop” erdhi nga një 24-vjeçare. E shokuar ajo tregoi se pasi Metjan Muço kishte nisur t’i bënte një elektrokardiogramë, filloi ta ngacmonte seksualisht.
Pas denoncimit, “Stop” investigoi rastin dhe dërgoi në spital të infiltruarën e vet. Me figurë dhe zë, Muço përsëriti sjelljen e tij duke e ngacmuar seksualisht vajzën.