Dëmtoi makinën e marrë me qira, dy shokët mbajnë peng në lokal 20-vjeçarin

Dy persona janë arrestuar nga policia, pasi mbajtën peng në një lokal 20-vjeçarin Klejdi Lila, i cili kishte dëmtuar makinën e marrë me qira. Dy të arrestuarit janë, Adrian Mehmeti, 39 vjeç dhe Aqif Dervishi, 37 vjeç.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari bën me dije se dy autoret jepnin makina me qira dhe i riu kishte marrë më përpara, një nga këto mjetet me qira. Pasi e ka kthyer, dy autorët i kanë thënë se ka gërvishtur mjetin dhe i kanë marrë fillimisht 500 Euro. Më pas i kanë kërkuar 2500 Euro të tjera.

I riu dhe autorët janë takuar në një lokal ku këto të fundit nuk e kanë lënë të ikë nga lokali pa ju dhënë shumën që ata i kanë kërkuar. Pasi i riu ka lajmëruar familjarët për t’i kërkuar 2500 Eurot, këta të fundit kanë marrë policinë, e cila më pas ka ndërhyre duke liruar të riun dhe ka arrestuar dy shokët.

“I hoqën lirinë një shtetasi dhe e kanosën atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i kishin hequr lirinë për disa orë, 2 shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u identifikuan dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar, shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, në ambientet e një biznesi, i kanë hequr lirinë për disa orë, shtetasit K. L., 20 vjeç, dhe e kanë kanosur që t’u jepte atyre, një shumë parash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme,” njofton policia.

Të Fundit